Në prag të protestës së paralajmëruar, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka reaguar ashpër ndaj komunikatës së publikuar mbrëmë nga rektori Arben Hajrullahu, duke theksuar se ajo nuk sjell asnjë zgjidhje konkrete për kërkesat dhe shqetësimet e kamotshme të studentëve.
Sipas përfaqësuesve studentorë, komunikata e rektorit e dhënë në orën 23:00 erdhi pasi ata i kishin dërguar shkresë Këshillit Drejtues dhe pas takimit të mbajtur të premten, ku ishin dokumentuar dështimet e dy viteve të fundit në përmbushjen e kërkesave të studentëve.
Të lidhura
None found
Në reagimin e tyre thuhet se rektori Hajrullahu jo vetëm që nuk u distancua nga deklaratat e mëparshme dhe nuk kërkoi falje, por madje pranoi se rregulloret nuk janë arritur të zbatohen në të gjitha njësitë akademike.
Studentët kanë renditur një sërë problemesh kyçe që, sipas tyre, kanë mbetur pa përgjigje dhe pa afate të qarta zgjidhjeje. Midis tyre përmenden çështja e rivlerësimeve, kufizimet që lidhen me studimet e dyfishta, problemet me vijueshmërinë në disa njësi akademike si dhe kufizimi në tri mungesa në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm.
“Studentët nuk kanë nevojë për komunikata që pranojnë problemet. Kanë nevojë për vendime që i zgjidhin ato”, thuhet në deklaratë. Aty shtohet se studentët nuk mund të manipulohen me deklarata të orëve të vona dhe se kriza në universitet po thellohet si pasojë e mungesës së vendimmarrjes dhe heshtjes së Këshillit Drejtues.
Për të dalë nga kjo gjendje, Parlamenti Studentor njofton se ka kërkuar zyrtarisht një takim të ri me Këshillin Drejtues të UP-së, nga i cili presin përgjigje konkrete gjatë ditës së nesërme.
Reagimi mbyllet me mesazhin se studentët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre.
“Presim vendime, jo arsyetime. Zgjidhje, jo premtime. Përgjegjësi, jo heshtje”.

Kujtojmë se Parlamenti Studentor i UP-së do të mbajë nesër protestë para Rektoratit, duke filluar nga ora 11:30.








