Industria ndërkombëtare e bizhuterive luksoze humbi një nga emrat e saj më të shquar. Paolo Bulgari u shua në Romë në moshën 89-vjeçare, njoftoi familja të shtunën, më 21 nëntor. Të afërmit e kujtuan atë si një njeri me humanizëm të jashtëzakonshëm dhe talent të rrallë në fushën e sipërmarrjes.
Në deklaratën e tyre, familjarët e përshkruan si “argjendarin më të madh të kohës sonë”. I lindur në Romë në vitin 1937, Paolo ishte nipi i Sotirios Voulgaris, argjendarit me origjinë greke që u largua nga Paramithia e Epirit dhe themeloi kompaninë Bvlgari në Itali.
Të lidhura
None found
Ai iu bashkua biznesit të familjes në vitin 1960, duke nisur punë pranë të atit dhe duke u thelluar në fushën e gurëve të çmuar. Ekspertiza e tij në këtë sferë u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të identitetit artistik të markës.
Paolo udhëhoqi zgjerimin global të kompanisë së bashku me të vëllain Nicola dhe nipin Francesco Trapani. Nën drejtimin e tyre, Bvlgari u kthye në një nga emrat më prestigjiozë të botës së luksit.
Gjatë kësaj periudhe, dyqanet e markës u hapën në metropole si Nju Jorku, Parisi, Gjeneva dhe Monte Karlo. Kompania e zgjeroi aktivitetin e saj përtej bizhuterive, duke përfshirë orët luksoze, parfumet, aksesorët prej lëkure dhe më pas edhe industrinë e hoteleve.
Që prej vitit 1984, Paolo Bulgari drejtoi grupin, duke ndihmuar në forcimin e pranisë ndërkombëtare të tij. Krijimet e Bvlgari-t u bënë pjesë e koleksioneve të figurave më të njohura të botës, mes tyre Elizabeth Taylor dhe shumë yje të Hollivudit.
Një kapitull vendimtar në historinë e kompanisë u shkrua në vitin 2011, kur familja Bulgari nënshkroi një marrëveshje për t’i shitur grupit francez LVMH shumicën kontrolluese të aksioneve. Vlera e transaksionit kaloi 5 miliardë dollarë, duke i dhënë fund kontrollit të drejtpërdrejtë të familjes mbi kompaninë. Megjithatë, Paolo Bulgari mbeti i angazhuar me dimensionin krijues dhe trashëgiminë artistike të markës.
Stili i tij karakterizohej nga përdorimi i guximshëm i gurëve me ngjyra, arit të verdhë dhe motiveve të frymëzuara nga historia dhe arti i Romës së lashtë.
Pavarësisht suksesit në botën e luksit, Paolo Bulgari nuk i harroi kurrë rrënjët e familjes dhe historinë e emigrimit të gjyshit të tij nga Greqia në Itali. Në vitin 2019, së bashku me bashkëshorten, ai themeloi Fondacionin Paolo Bulgari, me qëllim mbështetjen e arsimimit dhe formimit profesional të të rinjve nga lagjet më të varfra të Romës.
Me ndarjen e tij nga jeta, sektori i bizhuterive humbet një nga figurat që kontribuoi në ndërtimin e identitetit të luksit italian në arenën ndërkombëtare. Ceremonia mortore e Paolo Bulgari-t do të zhvillohet të hënën, më 23 nëntor, në orën 11:00, në Bazilikën Santa Croce in Gerusalemme në Romë.








