Një punonjës i Qendrës së Punësimit në Prilep u vu në pranga pasi dyshohet se kërkoi 18.000 denarë për të siguruar që një banor i fshatit Belo Pole të mos humbiste ndihmën sociale. Premtimi i tij përfshinte edhe regjistrimin e bashkëshortes së banorit si punëkërkuese aktive.
Të lidhura
None found
Policia e kreu arrestimin ditën e djeshme, në çastin kur zyrtari po merrte këstin e fundit prej 6.000 denarësh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja nisi më 23 prill, kur viktima dhe gruaja e tij, të cilët janë përfitues të ndihmës sociale, morën një mesazh nga Agjencia për t’u paraqitur në një trajnim pune. I dyshuari i paralajmëroi se refuzimi i trajnimit do të sillte heqjen e ndihmës dhe si zgjidhje kërkoi gjysmën e pagesës mujore sociale, konkretisht 6.000 denarë çdo muaj.
Prokuroria sqaron se i akuzuari gjithashtu i dha fjalën se do të fuste gruan e tij në regjistrin elektronik të Agjencisë si kërkuese pune, pavarësisht se ajo nuk posedonte kartelë kontrolli dhe nuk e dorëzonte rregullisht atë në Qendër.
Të nesërmen e bisedës, i dëmtuari i dorëzoi në zyrë fillimisht 4.000 denarë, më pas 2.000 denarë dhe vijoi të paguante rregullisht çdo muaj. Gjatë dorëzimit të shumës së fundit më 24 korrik, efektivët e policisë i zbuluan dhe i sekuestruan kartëmonedhat të dyshuarit, i cili u arrestua menjëherë.
Prokurori publik ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore të Prilepit një kërkesë për vendosjen e masës së paraburgimit ndaj zyrtarit. Ai po ndiqet për kryerjen e veprës penale “marrje ryshfeti”.
