Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se ka kërkuar që Artan Grubi të rikthehet në Maqedoninë e Veriut dhe të përballet me përgjegjësinë, në rast se ka keqpërdorur besimin e tij. Ai nënvizoi se synon vendosjen e një drejtësie të vërtetë dhe jo selektive, ndërsa shprehu shpresën që Grubi të lirohet nga arresti shtëpiak dhe çështja të vijojë më tej.
Të lidhura
None found
“Kam qenë personi që ka këmbëngulur më shumë që Artan Grubi të kthehet në Maqedoninë e Veriut dhe të përballet me procesin. Ia kam thënë qartë: nëse e ke keqpërdorur besimin tim, duhet të përgjigjesh. Ai ishte betuar se do të punonte me ndershmëri dhe më ka thënë vetëm një gjë: ‘Kam punuar me ndershmëri’”, u shpreh Ahmeti.
Kreu i BDI-së tha se e ka bërë këtë kërkesë publikisht dhe u ka bërë presion autoriteteve vendore që Grubi të paraqitet e të japë llogari. “Nuk dua drejtësi selektive, por drejtësi të mirëfilltë. Mendoj se gjërat po ecin mirë. Hapi i parë është lirimi i tij nga arresti shtëpiak, më pas do të shohim se si do të vijojë procedura”, deklaroi Ali Ahmeti.
