STUDIMI/ Infeksionet bakteriale janë shkaku i dytë i vdekjeve në botë

Infeksionet bakteriale janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në botë pas sëmundjeve të zemrës, sipas një studimi gjithëpërfshirës në të cilin Staphylococcus Aureus dhe Pneumokoku janë më vdekjeprurësit mes baktereve.

Studimi, rezultatet e të cilit u publikuan në revistën e specializuar mjekësore “Lancet”, përfshiu tridhjetë baktere – shkaktarët më të zakonshëm të infeksioneve, me një përpjekje të shkencëtarëve për të vlerësuar lidhjen e baktereve me numrin e vdekjeve. Hulumtimi u krye si pjesë e të ashtuquajturës “barra globale e sëmundjes”.

Programi kryesor i kërkimit, i financuar nga Fondacioni Bill Gates, është i një shkalle të pashembullt, me përfshirjen e disa mijëra studiuesve nga një sërë vendesh anembanë botës. Autorët arritën në përfundimin se “rastet që lidhen me bakteret e studiuara përfaqësojnë shkakun e dytë kryesor të vdekjes në mbarë botën” pas sëmundjes koronare të zemrës, në të cilën dallohen sulmet në zemër.

Nga 7.7 milionë vdekje të lidhura me infeksione bakteriale, një në tetë është për shkak të efekteve të Staphylococcus aureus dhe infeksionit pneumokok. Të dhënat datojnë në vitin 2019, para pandemisë COVID-19.

Gjysma e vdekjeve i atribuohen pesë nga tridhjetë bakteret e përzgjedhura – staphylococcus aureus, Escherichia coli, pneumococcus, Klebsellia pneumoniae dhe bacillus pyocyanin. Staphylococcus aureus është “shkaku kryesor i vdekjes së shkaktuar nga infeksioni bakterial në 135 vende”, zbuloi studimi.

Më vdekjeprurësit tek fëmijët nën moshën pesë vjeç janë infeksionet pneumokokale.

Studiuesit thonë se këto rezultate janë një tregues i qartë se infeksionet bakteriale janë një “përparësi urgjente” në shëndetin publik. Nga atje, ata apelojnë për angazhim për parandalimin e infeksioneve, përshkrim më të mençur të antibiotikëve, veçanërisht për të shmangur rezistencën ndaj këtyre barnave, si dhe përdorim më efektiv të vaksinave.