Një zjarr i fuqishëm përfshiu pasditen e sotme zonën e Qukës-Shkumbinit, në bashkinë Prrenjas, duke vënë në rrezik banesat që ndodheshin pranë vatrës.
Njoftimi në kohë nga banorët, kryeplaku dhe administratori i zonës mundësoi reagimin e shpejtë të strukturave dhe ndërhyrjen për të ndalur përparimin e flakëve.
Të lidhura
None found
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan shërbimet zjarrfikëse të Prrenjasit dhe Librazhdit, ndërsa në operacion mori pjesë edhe Policia e Shtetit. Strukturat në terren bashkërenduan veprimet për izolimin e vatrave dhe kontrollin e situatës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Prefektura e Qarkut Elbasan ofruan mbështetje përmes koordinimit dhe vënies në gatishmëri të strukturave përgjegjëse.
Ndërhyrja e përbashkët bëri të mundur shuarjen e flakëve dhe parandaloi përhapjen e tyre drejt zonës së banuar, duke shmangur dëmtimin e dhjetëra banesave që ishin të ekspozuara ndaj rrezikut.
Ekipet vijojnë kontrollet në zonë për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, ndërsa shkaku i zjarrit pritet të përcaktohet.
