Zgjedhjet në Himarë/ Vangjel Dule: PS ka hyrë në zgjedhje me 1000 vota plus

Gjatë një komunikimi për mediat, kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ka rreshtuar ato që i quan “parregullsi” në zgjedhjet që po mbahen në Himarë.

Dule solli në vëmendje se ende nuk kemi një vendim të formës së prerë lidhur me mandatin e Fredi Belerit, pasi në KAS ende nuk është shqyrtuar ankimimi i PBDNJ-së, ndërsa në Gjykatën Administrative është depozituar ankimimi lidhur me dekretin e Presidentit, që caktoi 4 gushtin si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Dulet foli për ndarjen e titujve të pronësisë dhe problemet e kartat e skaduara të identitetit.

“Janë shkelje flagrante, që janë kallëzuar në SPAK edhe nga kandidati Petro Gjikuria. Kandidati i PS-së ka pohuar me zë dhe figurë se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie, ndërkohë që në sirtarë e Kadastrës janë edhe mbi 600 të tjerë. Çfarë mund të presë më drejtësia për të vepruar.

Në bazë të të dhënave që ne kemi, janë rreth 600 zgjedhës që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe për shkak të dokumenteve të skaduara, nuk janë lejuar të votojnë”, tha ndër të tjera Dule.

Duke iu referuar parregullsive, Dule tha se në këtë proces kandidati socialist ka hyrë me mbi një mijë zgjedhës në favor, duke krijuar kështu një garë aspak të drejtë, transparente dhe të ndershme. “Nëse i referohemi numrit të personave të transferuar në Bashkinë e Himarës dhe atyre që po i mohohet e drejta e votës, kandidati socialist Vangjel Tavo, ka hyrë në këtë proces me plus një mijë vota”, tha Dule.

Dule po kështu pati pretendime se në proces, ka patur pjesëmarrje të personave me precedent penalë.


Shtuar 4.08.2024 15:09