Vladimir Putin kërcënon me armë bërthamore dhe “luftë civile” teksa forcon lidhjet me Kinën

Tërheqja e presidentit rus Vladimir Putin nga Traktati i “Fillimit të Ri” për të kufizuar armët bërthamore duket të jetë vetëm maja e ajsbergut, pasi një seri lëvizjesh nga lideri rus në orët e fundit rrisin ankthin ndërkombëtar për një përshkallëzim të mundshëm të luftës në Ukrainë, duke përdorur armë bërthamore taktike.

Në këtë drejtim, ardhja e një delegacioni të lartë kinez dje në Kremlin forcoi skenarët që presidenti rus pret me padurim mbështetjen kineze me sisteme armatimi, përballë mbërritjes së qindra tankeve dhe municioneve në Kiev në javët e ardhshme.

Duke “thyer” protokollin që kërkon që presidenti rus të mirëpresë në selinë e tij vetëm liderë dhe jo zyrtarë, Vladimir Putin shkëmbeu mendime me kreun e diplomacisë kineze, Wang Yi, duke folur për “horizonte të reja” në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Koordinim me Pekinin

Konkretisht, presidenti rus argumentoi se “marrëdhëniet ndërkombëtare janë aktualisht të komplikuara. Në këtë kontekst, bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë është i një rëndësie të madhe për stabilizimin e situatës ndërkombëtare” dhe shtoi se ai pret që Presidenti kinez Xi Jinping do të vizitojë Rusinë, gjë që mund të ndodhë në pranverë.

Nga ana e tij, Wang Yi shprehu vullnetin e Pekinit për të “forcuar partneritetin strategjik dhe të gjithë bashkëpunimin” me Moskën.

Në të njëjtën kohë, vizita e Wang Yi në Rusi vjen në një kohë kur Kina po kërkon të luajë një rol ndërmjetësues në konfliktin ukrainas, duke folur publikisht për një plan paqeje, i cili mbetet shumë i paqartë tani për tani, për të gjetur një “zgjidhje politike.”

Kina premtoi të bëjë publike propozimin e saj për një “zgjidhje politike” këtë javë, pak para përvjetorit të parë të fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, por ekzistenca e një “plani paqeje” nga ana e Pekinit mohohet, sipas burimeve ruse.

Në çdo rast, “udhëtimi i Wang Yi po shikohet nga afër në Perëndim mes shqetësimeve se afërsia e vazhdueshme midis dy kombeve mund të ndikojë në luftën në Ukrainë, e cila po i afrohet kufirit njëvjeçar”, siç thekson CNN, veçanërisht kur thashethemet intensifikohen për hyrjen e sistemeve të armëve kineze në teatrin e luftës ukrainase.

Krahas lëvizshmërisë së tij në nivel diplomatik, dje presidenti rus bëri deklarata alarmante për të ardhmen e arsenalit të tij bërthamor, me rastin e festës së sotme të forcave të armatosura ruse. Në veçanti, Presidenti rus ka njoftuar se vendi i tij do të forcojë më tej arsenalin e tij bërthamor dhe do të fillojë prodhimin masiv të raketave hipersonike.

Madje, në fjalën e tij për “Ditën e Mbrojtësve të Atdheut”, Putin  tha se sistemet e para të lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale Sarmat (i njohur gjithashtu në Perëndim si “Satan 2”) do të vendosen këtë vit.

“Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë prodhimin masiv të raketave hipersonike Kinzhal ajër-tokë dhe do të fillojmë prodhimin masiv të raketave hipersonike kundër anijeve Zircon”, tha Vladimir Putin .

Kujtojmë se raketat balistike ndërkontinentale Sarmat lëshohen nga kapanone dhe janë projektuar si pjesë e modernizimit të programit bërthamor rus, për këtë arsye ato mund të mbajnë nga 10 deri në 24 koka luftarake, konvencionale ose bërthamore. Presidenti Putin thuhet se pretendoi se Sarmat u testua me sukses për herë të parë në dhjetor 2017 dhe vlerësohet të jetë në gjendje të arrijë në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Polit të Veriut ose Jugut, pasi ka një rreze prej më shumë se 11,000 kilometrash.

Medvedev: Rreziku i copëtimit

Ndërkohë, ish-kryeministri i Rusisë dhe “sateliti” i pozicioneve të Putinit, Dmitry Medvedev, dërgoi një sinjal rreziku për Kremlinin, duke deklaruar se Rusia do të “bëhej copë-copë” nëse do të humbiste luftën.

Në cilësinë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Dmitry Medvedev tha dje se Rusia do të “zhduket” nëse humbet luftën në Ukrainë.

“Nëse Rusia ndalon operacionin ushtarak special pa arritur fitore, Rusia do të zhduket, do të copëtohet”, përshkroi ai në një postim në Telegram dje, duke thënë se “nëse SHBA ndalon furnizimin me armë për regjimin e Kievit, lufta do të përfundojë.”

Medvedev komentoi gjithashtu fjalimin e Putinit për gjendjen e kombit, si dhe njoftimin se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri të reduktimit të armëve bërthamore START, duke theksuar se ky është “një vendim i vonuar dhe i pashmangshëm”.

Mbrojtja me çdo armë

Siç tha ai, “ky është një vendim që do të ketë një ndikim të madh në botë në përgjithësi dhe në Shtetet e Bashkuara në veçanti”, pasi “nëse Shtetet e Bashkuara duan të mposhtin Rusinë, atëherë ne kemi të drejtë të mbrojmë veten me çdo armë, përfshirë bërthamën”, përfundoi ai./Albeu.com/


Shtuar 23.02.2023 08:46