Fqinjët e familjarëve të Dan Hutrës, monstrës që i mori jetën 3 grave ditën e djeshme dhe plagosi 3 të tjera kanë folur për mediet.
Një çift të moshuarish që banojnë në lagjen e familjes Hutra, rrëfejnë krisjen që vrasësi pati me familjarët e tij të cilët e mohuan si djalë.
Sipas fqinjëve, vëllai e fali përdhunimin e gruas së tij në vitin 2003, por i shkëputi përfundimisht marrëdhëniet me Hutrën në vitin 2007, kur ai vrau ish-gruan, Hasime Dafku.
Ata theksojnë për Euronews se familjarët kishin frikë nga Hutra dhe u larguan jashtë vendit për strehim politik në momentin që ai doli nga burgu.
“…jo për përdhunimin e gruas së tij se për atë nuk i mbajtën mëri. Përdhunimin e qujtën si ngatërresë nate dhe si pa njeri. As shteti nuk e dënoi për atë gjë. U pajtuan bën dhe dasëm kur u martua ky. E bën te shtëpia këtu. Më pas ai u zhvendos të jetonte në Bathore, atje e theri gruan. Pas vrasjes s’u bënë më me atë, vetëm e ëma i shkonte në burg. Kur doli ky nga burgu në darkë, në mëngjes ata ikën dhe u larguan nga Shqipëria se kishin frikë nga vëllai i tyre. Kërkuan strehim politik se i kërcënonte”, thanë fqinjët.
Në lidhje me vdekjen e të atit të Dan Hutrës, fqinjët thanë se nuk e njohin, pasi ai është vrarë kur familje jetonte në Kukës dhe nuk kishte ardhur ende në Tiranë.
“Nuk e njohim fare atë. Atë e kanë vrarë shpejt, në Kukës. Ata thonë që e vrau e shoqja sipas të dhënave. Kështu thonë këta kuksianët”, tha fqinji./Albeu.com/