Vdekja e 4 turistëve rusë, ISHP kthen mbrapsht mostrat e ujit: Duhet të merreshin në mënyrë profesionale

Instituti i Shëndetit Publik ka kthyer mbrapsht mostrat e ujit të dërguara më parë atje nga hoteli ku humbën jetën katër shtetas rusë, për të kryerë ekpertizën.

ISHP është shprehur se mostrat e ujit janë marrë gabim dhe nuk përkojnë me provat që duhet të hetohen.

Sipas ISHP-së, ato duhet të merreshin në mënyrë profesionale nga ekpertët e ISHP-së dhe jo në atë mënyrë siç edhe u morën, që sipas tyre ishte e gabuar.

“Ka një kërkesë vetëm për klorin dhe ujin. Sot do të vijë kërkesa tjetër. Dhe mostra do të merret sipas kësaj rregulloreje dhe sipas këtij standardi. Për të qenë transparentë, oficerët e policisë gjyqësore kishin sjellë mostrën jo sipas kërkesave të rregullores. Kishin marrë mostrat vetë, kjo mënyrë duhet të rregullohet njëherë e mirë dhe të ndahen detyrat e secilit”, tha profesor Arben Luzati për TCH.

“Në rastin konkret është përdorur klori pluhur dhe mostrat duhet të merren në mënyrë të veçantë”, tha Luzati që është pyetur edhe nëse mund të shkaktojë vdekje helmimi nga klori.

“Ka irritime, vështirësi… Kur ka klor të tepër japin, por deri në vdekje nuk kam dëgjuar. Flasim për pishina të mbyllura”, tha ai.

Sipas të njëjtave burime grupi i hetimit ka dërguar gabimisht edhe disa mbetje ushqimore pranë ISHP që janë kthyer pas dhe janë dërguar për ekspertim pranë AKU. Të gjitha këto veprime dhe përplasje mes institucioneve duket se kanë vështirësuar më tej daljen e një konkluzioni për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 4 turistët rusë./albeu.com/