Prej gati 12 orësh vendi është duke u përballur me një valë tërmetesh, të cilat janë duke lëkundur zonën e Burrelit, Tiranës dhe rrethinave në mënyrë të vazhdueshme.
Tërmeti më i fuqishëm ishte ai i mbrëmjes së djeshme, pak pas orës 22:20 me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter duke u ndjekur menjëherë me një lëkundje tjetër me magnitudë 4.1 të shkallës Rihter.
Ndërkohë, sipas IGJEUM, gjatë natës pati një mori lëkundjesh të tjera me magnitudë më të vogël, gjë e cila po vijon edhe gjatë paradites së sotme.
Vetëm brenda një orë, vendi është lëkundur të paktën tre herë prej tërmeteve, të cilat kanë forcë më të vogël dhe sizmiologët i cilësojnë si pasgoditje.
Duke folur mbrëmë për AlbEu.com, sizmiologu Shyqyri Aliaj tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Nuk është për t’u shqetësuar nga ky tërmet me magnitude 4.6 me epiqendër në Bulqizë”.
Deri më tani janë njoftuar dëme të vogla materiale në zonën e Klosit, ku sipas kreut të bashkisë, 20 kryefamiljarë kërkuan vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Prej tre vitesh tashmë vendi është përfshirë nga një valë e vazhdueshme tërmetesh, e cila kulmoi me atë të 26 nëntorit 2019 që shkaktoi dhjetëra të vdekur. /albeu.com