Foto ilustruese
Policia e Sarandës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Duke ndërhyrë në kohë Blutë e qytetit bregdetar kanë bërë të mundur ndaljen e një krimi të mundshëm në familje, pasi është arrestuar një 34-vjeçar, i cili ka tentuar t’i marrë jetën ish-bashkëshortes.
Policia ka arrestuar në flagrancë me pistoletë pa leje shtetasin Kleo Hysi, i cili rezulton të jetë edhe person me precedentë të mëparshëm penalë. Mësohet se ai kishte udhëtuar enkas nga Tepelena në Sarandë për të vrarë ish-bashkëshorten, shtetasen me iniciale F.Ç., me të cilën ka dy fëmijë, respektivisht 9 dhe 13-vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës.
Njofim policie
Shërbimet e Policisë parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale në familje.
Marrja në kohë reale e informacionit dhe reagimi profesional dhe i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë, parandaluan përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kërcënoi se do të vriste ish-bashkëshorten e tij dhe bashkëjetuesin e saj, me armë zjarri, vihet në pranga 34-vjeçari, në kuadër të operacionit policor të koduar “On time”.
Në pranga dhe një shtetas tjetër (bashkëjetuesi), pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, me fishekë në fole dhe përforcuesi i grushtit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pasi kanë marrë njoftim se në lagjen nr.4, Sarandë, shtetasi K. H. kishte konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F. C., 31 vjeçe dhe bashkëjetuesin e saj, shtetasin I. J, të cilët i kërcënonte se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “On time”.
Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë vënë në pranga shtetasin K. H., 34 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje.
Po gjatë këtij operacioni, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. J., 55 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (përforcues grushti).
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale ” Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit K. H, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit I. J./albeu.com