Tabaku: Të fundit në rajon për situatën ekonomike, 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikujtuar marrëveshjen për Tregun e Përbashkët Rajonal që është një mundësi për Shqipërinë, por që nuk dihet se sa e suksesshme do të jetë në rastin e Shqipërisë.

Deputetja demokrate, thotë se Shqipëria është e fundit në rajon sa i takon situatës ekonomike.

Ajo rendit disa nga problematikat, ndërsa thekson se ne duhet patjetër që të ndihmojmë njerëzit, qytetarët, studentët po ajo që është më e rëndësishme bizneset.

Reagimi:

“Java e fundit ka qenë e përqëndruar tek procesi i integrimit.
Tani, gjithë këto diskutimet që bëjmë ne. Këto ligjet e gjata që miratojmë, në thelb çfarë sjellin?

Ajo që kemi treguar dje ka qenë se Shqipëria ndodhet pas gjithë vendeve të rajonit.

Ndodhet pas në rritje ekonomike! Ndodhet pas në punësim!

Ndodhet pas sa i takon pagave ku sipas Bankës Botërore ne kemi rrogat 30% më të ulëta se sa rajoni, çështjeve sociale ku buxheti jonë ka më pak se sa rajoni me as 5% e PBB, ndodhet e para për varfërinë ku 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 USD në ditë.

Dhe ne duhet patjetër që të ndihmojmë, njerëzit, qytetarët, studentët po ajo që është më e rëndësishme bizneset.

E sidomos bizneset e vogla që të aftësohen, që të ngrejnë kapacitetet dhe që të bëjnë të mundur që këtë procesin e integrimit ta përkthejmë në cilësi më të mirë produktesh, në cilësi më të mirë shërbimesh dhe të përfitojnë nga ndihma e Bashkimit Europian që me marrëveshjen e miratuar dje; fatmirësisht do të manaxhohet nga Bashkimi Europian vendos në dispozicion shumë fonde për tregun e përbashkët.

Këtë duhet të bëjë Shqipëria! Këto standarde duhet arrijë Shqipëria për ta kthyer procesin për qytetarët jo për politikanët”, shkruan Tabaku.


Shtuar 14.04.2024 10:38