Spanja vijon të ironizojë Kosovën, nuk i përmend emrin

Mesfushori i Spanjës dhe Napolit, Fabian Ruiz, ka folur të hënën mbrëma në konferencë për shtyp. Spanja të mërkurën luan ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Botërorin 2022 në futboll.

Në Sevilla takohet me përfaqësuesen e Kosovës. Dhe në bazë të asaj që është transmetuar nga profili zyrtar i Federatës së Futbollit të Spanjës në “Twitter” dhe nga gazeta e madhe “Marca”, Ruiz nuk e ka përmendur fare në konferencë për shtyp Kosovën. Kjo në fakt nuk është ndonjë gjë e re.

Spanja ka javë që ka qasje jo të denjë ndaj Kosovës, ndonëse e ka rivale të grupit. Shteti spanjoll nuk e njeh Kosovën dhe ka pasur përpjekje për trajtim diskriminues ndaj Kosovës në ndeshjen e së mërkurës.

Por UEFA ka garantuar se ndeshja do të luhet me rregullore të FIFA-s, që sipas FFK-së nënkupton se do të ketë himn e flamur të Kosovës. Por në deklarimet publike, spanjollët shmangin maksimalisht Kosovën. Në këtë frymë ishte edhe konferenca e së hënës mbrëma e Fabian Ruizit.

“Ju duhet të jeni të kujdesshëm. Ekipet nacionale janë të mira dhe bëjnë gjërat e vështira për ju. Synimi ynë është të dalim të parët në grup. Duhet të jemi pak të brengosur por të kemi mendjen e qetë. Ne kemi skuadër shumë të mirë dhe po i bëjmë gjërat mirë”, ka thënë Ruiz kur është pyetur për ndeshjen me Kosovën, përcjell “Marca”. “Po mendojmë për ndeshjen e së mërkurës dhe për të marrë pikët. Ne duhet të fokusohemi në lojën tonë, të marrim pikët pasi është ndeshje shumë e rëndësishme. Secili ekip e ka armën e tij përmes të cilës mundohet të fitoj”, ka theksuar Ruiz, ndër të tjera.

Ndërkohë sajti zyrtar i Televizionit të Spanjës, që do ta transmetojë ndeshjen e së mërkurës mes Spanjës dhe Kosovës, nuk ka shkruar drejtë emrin e përfaqësueses “dardane”.

“Kualifikimet për Katar 2022: Spanja – Federata e Futbollit e Kosovës”, shkruan në paralajmërimin e “rtve.es”.

Selektori i Spanjës, Luis Enrique, e ka përmendur Kosovën të dielën mbrëma, pas fitores së vështirë ndaj Gjeorgjisë. Ai ka thënë se është i brengosur para ndeshjes me Kosovën për formën e skuadrës së tij.

Ndeshja Spanjë – Kosovë luhet të mërkurën nga ora 20:45 në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.

Shtuar 29.03.2021 07:03

Tags: ,