Shembet parkingu shumëkatësh në Nju Jork, një i vdekur dhe pesë të plagosur (Video)

Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë u plagosën kur një parking shumëkatësh u shemb pjesërisht në qytetin e Nju Jorkut, thonë zyrtarët.

Kati i dytë i strukturës katërkatëshe në Distriktin Financiar të Manhatanit u shemb i pari, shkruan BBC.

Videoja e postuar në internet tregon makina dhe mbeturina të grumbulluara si pasojë e shembjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 me orën lokale (20:00 GMT).

Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY), John Esposito tha se operacioni i shpëtimit ishte “jashtëzakonisht i rrezikshëm” për zjarrfikësit dhe e konsideroi strukturën “shumë të paqëndrueshme”.

“Ne kishim zjarrfikës brenda ndërtesës që kryenin kontrolle. Ndërtesa po vazhdonte të shembej,” tha ai.

Ai shtoi se një punëtor i plagosur ishte bllokuar në katin e sipërm dhe nuk ishte në gjendje të zbriste vetë.

Kryetari i bashkisë së qytetit tha se teknologjia e re luajti një rol jetik në reagimin e emergjencës.

“Dua të theksoj se, falë Zotit, ne kishim qenin robotik që ishte në gjendje të hynte në ndërtesë,” tha kryebashkiaku Eric Adams.

Qeni robotik ishte në gjendje të dërgonte video nga brenda ndërtesës, pas së cilës u fluturuan dronët për të kryer një vlerësim dhe kërkime.

Shkaku i shembjes nuk dihet ende dhe personeli i Departamentit të Ndërtesave po kontrollonte ndërtesat fqinje për ndonjë dëmtim, thanë zyrtarët./Albeu.com/


Shtuar 19.04.2023 09:08