Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilësoi si sjellje të papranueshme të ministrave dhe deputetëve socialistë, të cilët sipas tij u larguan sot nga ambientet e Parlamentit ndërsa protestuesit po dhunoheshin “në mënyrë barbare” për t’u hapur rrugë automjeteve të zyrtarëve.
Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Shehaj tha se ministrat dhe deputetët duhet të japin llogari për padrejtësitë e kryera në dëm të qytetarëve shqiptarë, të cilët prej më shumë se 1 muaj po kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie.
Të lidhura
None found
Sipas tij, qytetarët nuk do ta ndërpresin protestën deri në arritjen e qëllimit të saj, që është dorëheqja e qeverisë Rama.
Shehaj u shpreh se përfaqësuesit e mazhorancës duhet të përballen me drejtësinë dhe me qytetarët për mënyrën se si, sipas tij, i kanë vjedhur dhe u kanë bërë jetën të pamundur në Shqipëri. Ai theksoi se ata nuk mund të mendojnë se me anë të policisë do të ndalin protestën dhe do të vazhdojnë të mbajnë pushtetin, duke shtuar se “iu ka ardhur fundi” dhe se protesta nuk ndalet.
Në reagimin e tij të plotë, Shehaj deklaroi: “Shikoni se si ministrat dhe deputetët e mazhorancës ia mbathin me makina ndërkohë që policia dhunon në mënyrë barbare protestuesit. Kjo është e papranueshme. Këta duhet të japin përgjigje, duhet të dalin përpara drejtësisë. Duhet të dalin para popullit të mbajnë përgjegjësi se si i kanë vjedhur ata, se si ua kanë bërë jetën të pamundur në Shqipëri dhe nuk mund të mendojnë se nëpërmjet policisë mund të ndalin protestën dhe mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Ju ka ardhur fundi. Protesta nuk ndalet, protestuesit do vazhdojnë deri sa ata të ikin”.
