Në Stankaj të Rugovës u kthye në posedim një pronë e uzurpuar e Institutit Bujqësor të Kosovës

Në Stankaj të Rugovës ka vijuar procesi i lirimit të pronave të uzurpuara që administrohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës.

Sipas njoftimit të MBPZhR-së, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka deklaruar se çdo pronë e uzurpuar do t’i rikthehet ministrisë.

Të lidhura

None found

MBPZhR bëri të ditur se po vazhdon zbatimin e vendimit të ministrit Armend Muja për lirimin dhe kthimin në posedim të ligjshëm të të gjitha pronave të uzurpuara që janë nën administrimin e Institutit Bujqësor të Kosovës, në kuadër të angazhimit institucional për mbrojtjen e pronës publike dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Në këtë kuadër, gjatë ditës së sotme është liruar prona e MBPZhR-së – Institutit Bujqësor të Kosovës në Stankaj të Rugovës, në përputhje me Marrëveshjen e Ndërmjetësimit nr. ND.nr.430/25, të datës 19.12.2025, e cila është miratuar me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Sipas ministrisë, ky hap paraqet vazhdim të zbatimit të vendimit të ministrit Armend Muja, me të cilin parashihet që çdo pronë e Institutit Bujqësor të Kosovës e uzurpuar ose e shfrytëzuar pa bazë ligjore t’i kthehet posedimit të ligjshëm të Ministrisë, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe përmes procedurave të rregullta ligjore.

MBPZhR theksoi se do të vazhdojë me identifikimin, lirimin dhe mbrojtjen e të gjitha pronave që ka në administrim, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe administrative për të garantuar menaxhim të përgjegjshëm të pasurisë publike.

Po ashtu, ministria u ka bërë thirrje të gjithë shfrytëzuesve të paautorizuar të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës që të respektojnë dispozitat ligjore dhe vendimet e institucioneve kompetente, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e pasurisë publike.


Shtuar 2.07.2026 16:02