Nga Erblina Mile
Inflacioni i lartë ka sjellë më shumë para në buxhetin e shtetit. Të dhënat e ministrisë së financave tregojnë se gjatë periudhës janar-tetor janë mbledhur 60.6 miliardë lekë më shumë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në total 475 miliardë lekë
Performanca pozitive e të ardhurave ka ardhur e ndikuar nga rritja e çmimeve pasi vetëm nga TVSH në import për 10 mujorin rezulton 128.9 miliardë lekë duke pësuar një rritje me 25.4 miliardë lekë më tepër se një vit më pare.
Po ashtu dhe të ardhurat e mbledhura nga akciza janë realizuar në masën 43.9 miliardë lekë ose 1.5 miliardë lekë më shumë se viti 2021. Sipas të dhënave të Ministrisë së financave edhe Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 36.7 miliardë lekë, ose 34.3% më shumë se një vit më pare.
Por ndryshe janë treguesit e investimeve publike. Sipas ministrisë së financave investimet publike paraqesin realizim më të ulët me rreth 30.6 për qind krahasuar me një vit më parë.
Buxheti I shtetit ka arritur treguesit më të mirë në vitet e fundit për sa i përket arkëtimeve. Por sipas ekspertëve nëse inflacioni do të stabilizohej të e para që do të merrte goditje do të ishte pikërisht arka e shtetit.
Gjatë muajit tetor inflacioni në vend arriti në 8.3 % më i larti I regjistruar në më shumë se dy dekada. Parashikimet sipas Bankës së Shqipërisë janë se niveli I lartë I inflacionit do të jetë I lartë edhe për këto dy muaj. /abcnews.al