Historia përsëritet! Dhjetëra qytetarë helmohen në Bulqizë, ku paraprakisht shkaku dyshohet të jetë sërish nga uji i pijshëm i zonës, të diagnostikuar nga mjekët si gastroenterit akut.
Mbi 50 persona, fëmijë dhe të rritur, janë paraqitur në spitalin e qytetit me të njëjtat simptoma prej helmimit, dhimbje barku, të vjella apo dhimbje koke.
Të lidhura
Top Channel mëson se ka pasur përpjekje për të fshehur këtë ngjarje ku rrezikohet jeta e banorëve nga cilësia e ujit të pijshëm në Bulqizë.
Megjithatë pritet të konfirmohet arsyeja e helmimit përmes analizave përfundimtare.
Në Bulqizë nuk është hera e parë që banorët i drejtohen spitalit për ndihmë mjekësore me shenja helmimi, gati një vit më parë pati një helmim masiv ku më shumë se 60 familjarë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Gjoricës.
Edhe në janar të 2021, u helmuan nga uji i pijshëm 30 persona të cilët u kuruan në qendrën e Shupenzës.
Edhe vitet e shkuara janë shënuar në regjistrat e spitalit pacientë të helmuar për shkak të ujit të pijshëm. E mesa duket ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit kanë munguar për të zgjidhur këtë problematikë. Policia njofton se ka ngritur grupin hetimor për të zbardhur rrethanat e për të përcaktuar shkakun e helmimit.

