Reshjet në qarkun e Korçës janë ndërprerë, por temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Gjatë natës termometri ka shënuar deri në -11 gradë, ndërsa mëngjesin e sotëm temperaturat shkuan deri në -8.
Raportohet se të gjitha rrugët nacionale dhe turistike, janë të hapura dhe nuk kanë krijuar probleme, por drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa iu sugjerohet që të lëvizin me goma dimërore dhe zinxhirë.
Sakaq, ekipet me mjetet borëpastruese janë në gatishmëri.
Në bashkinë Korçë, rrugët që të çojnë në fshatra janë pastruar, vetëm në disa pjesë të segmentit rrugor Shtyllë-Panarit, mjetet duhet të vendosin zinxhirë.
Po ashtu, në bashkinë Devoll nuk raportohen probleme në fshatra, por gjithsesi nga ulja e ndjeshme e temperaturave ka prezencë akulli.
Në bashkinë Pogradec, po punohet ende me kriposjen e rrugëve gjithashtu edhe në zonat e thella malore, po bëhet e mundur hapja dhe pastrimi i rrugëve.
Po ashtu, në bashkinë Maliq nuk raportohen probleme, si dhe në Kolonjë situata është normalizuar.
Sa i përket mungesës së energjisë elektrike sipas informacioneve, qyteti i Ersekës ka disa problematika të vogla me energjinë gjithashtu, 15 abonentë në fshatin Piskal dhe 6 abonentë në Gur të Kuq në Pogradec.