Raporti i DASH për Shqipërinë, Berisha: Denoncoi vjedhjet e inceneratorëve, 237 mln dollarë janë zhdukur në xhepat e Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë ditën e sotme në Selenicë, ku ka prezantuar  kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Leonard Rakipaj, për këtë bashki.

Berisha u ndal te raporti i DASH për Shqipërinë dhe tha se në të janë denoncuar vjedhjet e inceneratorëve, nga të cilat sipas Berishës, 237 milionë dollarë kanë përfunduar në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij.

Ish-kryeministri tha se Rama merr pjesë në darka me kosto 10 mijë euro e fluturon me avion privat duke mos i interesuar për qytetarët.

“Jemi në një moment thirrjeje pasi shoqëria shqiptare, populli shqiptar, përjeton në një farë mënyre një nga momentet absolutisht më dramatike të historisë sonë kombëtare. Ne jemi pakësuar dhe po pakësohemi, po shkretohemi me shpejtësi të pabesueshme.

Sot njëlloj si në vitin 1991 jemi në monizëm të plotë. . Edi Rama kontrollon 10% më shumë pushtete se Ramiz Alia në 1991.  Bandat  dhe vrasësit janë njerëzit e preferuar të ministrave të Ramës sepse përmes tyre ata realizojnë fitimet që nuk i nxjerrin dot me ligjet dhe kjo është arsyeja e lidhjes me krimin dhe drogën. Edi Rama monizmin e tij e bazon në vjedhjen e shqiptarëve.

Kemi folur për vjedhjet e qindra miliona eurove me djegësat, në Durrës, me tendera sekrete dhe kudo. Dje DASH denoncoi vjedhjet e djegësave, 237 mln dollarë janë zhdukur në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij. Pra, këta vjedhin po vjedhjet më të mëdha i bëjnë në punët publike.

Rrugët anësore Lekaj-Fier kushtojnë me Edi Ramën 2.2 herë më shumë se vetë autostrada apo vetë bypassi i Fierit. A mund të imagjinohet kjo? Këta ndërtojnë kilometrin me 24 milionë euro në fushë. Deri në 90% të fondeve publike për një punim e vjedhin.

Këto janë realitete, këta jetojnë vetë në mënyrë përrallore. Ai udhëton me avion, shpenzon 22 milionë euro me avionin privat me dhomë gjumi brenda. Shtrohet me biftekë 1000 euro, me darkë 10 mijë euro dhe për qytetarët nuk duan t’ia dinë”, tha Berisha. /albeu.com

 


Shtuar 21.03.2023 18:12