Prokurori Erion Pano konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli ditën e sotme vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit Erion Pano, aktualisht këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Gjatë seancës dëgjimore Pano dha shpjegime për balancat negative të konstatuara për kursimet që kanë shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti.

Pano pranoi se kishte pasur pasaktësi në deklarimin e kursimeve deri në vitin 2010, por ai pretendoi se i kishte korrigjuar në deklaratën “veting” dhe në shpjegimet e dhëna gjatë hetimit administrativ, si dhe këmbënguli se, kishte arritur që me argumentet dhe provat e depozituara të kishte përmbysur barrën e provës. Lidhur me pagesën e policës së sigurimit, subjekti u shpreh se kjo ishte një koincidencë, por që pasqyronte rrethanat faktike.

Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe është emëruar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005.


Shtuar 24.11.2022 16:42

koment