Policia jep detaje për kapjen e heroinës: E pikasëm në Shkodër, por e dërguam në Durrës

Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me kapjen e 17 kg heroinë në Portin e Durrësit.

Sot, Policia e Shkodrës ka marrë informacion se në doganën e Hanit të Honit ka kaluar një kamion me targa shqiptare që kishte si destinacion Malin e Zi.

Pasi mjeti është ndaluar, për një kontroll më të specializuar është dërguar në portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca, e cila ka pikasur menjëherë 17 kilogramë heroinë.

Pas gjetjes së herorinës, në pranga u vendos shoferi 48-vjeçar nga Vlora, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Ndërkohë që grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ketij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Policia e Shtetit

Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta. Parandalimi nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër. Sekuestrohen rreth 17 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Më datë 26 qershor, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte për në drejtim të Malit të Zi.

Për një kontroll më të specializuar, kamioni është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit Durrës dhe autoritetet doganore të Portit Durres, që veprojnë përherë në Port. Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion kishte të fshehur rreth 17 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.

Nga veprimet e para hetimore është arrestuar në flagrancë dretuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ketij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentative për trafikim të drogave të forta.


Shtuar 26.06.2021 22:29