Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në afërsi të Ujmanit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut.

Përmes një njoftimi për media, PK-ja njoftoi se në vetëmbrojtje, njësitet policore janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri grupeve kriminale të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut.

Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”.

Policia njoftoi se deri tani nuk ka ndonjë informacion për ndonjë person të lënduar apo dëme të shkaktuara.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”.

 


Shtuar 10.12.2022 20:19