Një çift të huajsh u shpëtua këtë të diel në Kanionin e Gjipesë, pasi mbeti i bllokuar gjatë një shtegtimi në këtë zonë, në momentin kur njëri prej turistëve theu këmbën dhe e pati të pamundur të vazhdonte lëvizjen.
Sipas njoftimit të autoriteteve vendore, menjëherë pasi u dha alarmi për ngjarjen, drejt zonës u nisën forcat zjarrfikëse të Himarës, punonjës të Policisë së Himarës dhe të Postës së Dhërmiut, si edhe ekipi i Urgjencës Mjekësore nga Spitali i Himarës.
Të lidhura
None found
Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave të shpëtimit, dy turistët u nxorën nga kanioni në kushte të sigurta, ndërsa personi i dëmtuar u dërgua më pas në spital për të marrë trajtim mjekësor.
Kanioni i Gjipesë njihet si një zonë me terren të vështirë dhe të rrezikshëm, ku aksidentet me turistë nuk janë të pazakonta.
Autoritetet vendore u bëjnë apel vizitorëve që të shmangin zonat e pashenjuara dhe të përdorin guida të licencuara, me qëllim uljen e rrezikut për incidente.
