“Po kërcet kallashi dhe tritoli përditë”, Salianji kërkon Çuçin e Rrumbullakun që të japin llogari: A keni guxim?!

Mbledhja e Komisioni të Sigurisë ditën e sotme është shoqëruar me debate.

Deputeti democrat Ervin Salianji i është drejtuar ministrit të Drejtësisë por dhe atij të Brendshëm, duke u kërkuar që së paku të dënojnë krimin.

Salianji tha se ata nuk e luftojnë dot krimin, teksa i pyeti nëse kanë guximin ta dënojnë.

Deputeti demokrat vuri në dukje se ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe Drejtori i Policisë, duhej të ishte prezent në këtë komision, pas ngjarjeve të fundit ndodhur në vend, referuar edhe tritolit në makinën e kreut të PD në Vaun e Dejës.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mes të tjerash tha se u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të zbardhin sulmin ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës.

Pjesë nga diskutimi:

 

Ervin Salianji: Drejtori nuk të ka ardhur pas kërkesës për kamerat e vendosura nëpër qytet. Pse nuk jeni të shqetësuar ju që ne kërkojmë që të vijë të japë llogari Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë, ndërkohë që sot fluturon me tritol kreun i PD në Vaun e Dejës? Kanë frikë të përballen? Po u vriten përditë njerëz, të vijë Çuçi këtu… Pse tritolin e krimit e përdorni ndaj medias, e vendosni ndaj opozitës? Po kërcet kallashi dhe tritoli përditë, a ke guxim ta thuash a jo zoti Qefalia? Keni guxim ta dënoni krimin? Se mirë që nuk e luftoni por dënojeni  të paktën…

Xhemal Qefalia: Le të presim 14 majin dhe t’i shohim ku janë këta, ndaj vazhdoni me rendin e ditës së nuk shkon që në Komisionin e Sigurisë të krijohet një situatë e tillë.

Ulsi Manja:  Çdo lloj krimi meriton të dënohet dhe agjencitë ligjzbatuese të zbardhin të vërtetën dhe t’i japin përgjigje edhe këtij krimi. Për ne është jo vetëm detyrim kushtetues ardhja në këto komisione, por dhe moment që na jepet mundësia të komunikojmë me qytetarët që hasim në punën tonë të përditshme.

 


Shtuar 11.04.2023 13:56