Taulant Balla ka publikuar një video për vilën në Itali, pasi kreu i Partisë Mundesia, Agron Shehaj, deklaroi se e kishte shitur pronën për 15 milionë euro dhe se paratë e përfituara i kishte të deklaruara.
Përmes një toni ironik, Balla kërkon sqarime nga Shehaj dhe vë në dyshim statusin aktual të vilës, duke pretenduar se mund të ketë mospërputhje në deklarimet e tij.
Të lidhura
None found
“Gono, ku ndodhesh? A e shite apo jo atë vilë? Numri është 250, 498, 359? Shitja është bërë në shtator të vitit të kaluar apo prona vazhdon të të përkasë? Duhet parë nëse Kadastra e Italisë e nxjerr ende në emrin tënd, sepse pastaj na fut në telashe. Kontrolloji dokumentet dhe jep një sqarim për këtë çështje. Në rregull, Gono?”, thotë Balla në videomesazhin e tij.
Agron Shehaj iu kundërpërgjigj duke deklaruar se Balla kishte bërë publike të dhënat për vendndodhjen e banesës në Itali, ku qëndrojnë bashkëshortja dhe fëmijët e tij.
Në reagimin e filmuar përpara Kryeministrisë, Shehaj pretendon se publikimi i të dhënave të shtëpisë së familjarëve të tij është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Shehajt, Edi Rama dërgoi sot Taulant Ballën te banesa e tij për të filmuar shtëpinë ku jetojnë fëmijët dhe bashkëshortja e tij, si edhe vendin ku ata kalojnë verën. Ai shton se në video është treguar adresa dhe banesa është identifikuar me gisht me fjalët: “Këtu janë!”.
Në mbyllje të reagimit, Shehaj pyet përse Edi Rama vepron në këtë mënyrë dhe përgjigjet se shkaku është dëshpërimi i tij. Ai thekson se nuk do të ndalen dhe se nuk mund të tremben as nga filmimet, as nga “Taulant-at”, krimi, oligarkët apo mediat që, sipas tij, financohen me paratë e qytetarëve shqiptarë.
