Një incident është regjistruar në një kafene, ku disa të rinj iu afruan Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, ndërsa ai po konsumonte kafe në shoqërinë e prindërve të tij.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale dëgjohen të rinjtë teksa e shajnë Shabanin, duke i thënë: “O palaço, s’të vjen turp” dhe “Je tradhtar, e meriton”.
Të lidhura
None found
I riu: O palaço i vogël, s’të vjen turp.
Endri Shabani: Po bën video për Facebook, jam me prindërit këtu.
I riu: S’të vjen turp, je tradhtar, e meriton, je tradhtar.
Pas publikimit të pamjeve, Endrit Shabani reagoi duke deklaruar se ishte fyer verbalisht nga një aktivist i Partisë “Shqipëria Bëhet”. Sipas tij, ngjarja ndodhi pranë lokalit ku po pinte kafe me prindërit.
Shabani tha se personin që iu afrua me kamerë e njeh që nga gjimnazi. Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për Mevlan Matën, të cilin e identifikoi si aktivist të Partisë “Shqipëria Bëhet”.
Avokati i Popullit e lidhi episodin me një përplasje të nisur një ditë më herët, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke përshëndetur dy deputetë.
“Dje kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet më sulmoi sërish (prej një viti tashmë), duke manipuluar një video ku përshëndesja dy deputetë. Si Avokat i Popullit raportoj çdo muaj në Kuvend dhe kam detyrim institucional të bashkëpunoj me të gjithë deputetët, pa dallim partie.
Por edhe më parë, nuk kam besuar kurrë se kundërshtari duhet trajtuar si armik, aq sa mos i japësh dorën. Jam i bindur se edhe Adriatiku, i cili ka dalë vetë në video duke qeshur me të njëjtët deputetë, e di mirë këtë.
Sot, Mevlan Mata, aktivist i së njëjtës parti, erdhi me kameraman poshtë pallatit ku jetoj, për të më filmuar duke më fyer, ndërsa pija kafe me prindërit e mi. Mevlanin e njoh që në shkollë të mesme dhe më vjen keq që i duhet të japë shenja të tilla besnikërie ndaj partisë.
Kritikën ndaj meje e pranoj, për sa kohë kam zgjedhur një detyrë publike. Por prindërit e mi të moshuar nuk e meritojnë të përfshihen në skena të tilla, sepse nuk janë pjesë e asnjë debati politik dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi publike. Besoj fort që shtëpia dhe familja e çdo shqiptari duhet të mbeten të paprekshme, prandaj ky kufi nuk duhet kapërcyer”, u shpreh Shabani.





