Përjashtimi i Berishës, Belind Këlliçi e pranon: Më kanë thirrur në Ambasadën e SHBA për këtë çështje

Deputeti Demokrat dhe njëherësh kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi u shpreh se disa prej deputetëve të PD janë thirrur në ambasadën e SHBA në Tiranë, ku janë pyetur për aktualitetin politik në vend por edhe për çështjen e liderit historik të PD Sali Berisha.

Ambasada ka kërkuar mendim mbi përjashtimin e tij nga partia dhe shpalljen “Non Grata” nga SHBA.

Komentet Këlliçi i bëri në emisionin Open ku shtoi se Ambasada Amerikane do të zhvillonte edhe një sondazh për të parë mendimin e qytetarëve mbi aktualitetin në Partinë Demokratike dhe në vend.

“Po kam qenë i ftuar në ambasada. Një grup deputetësh të PD janë thirrur në ambasadën amerikane. Nuk mund ta them për çfarë kemi folur pasi është konfidenciale, por kanë dashur të dinë këndvështrimin e anëtarëve të rinj, të grupit parlamentar, të të rinjve, unë si drejtues i forumit rinor si gjykoj ndër të tjera dhe për këtë çështje (të Berishës) dhe si e gjykoj aktualitetin politik. Sigurisht nuk i lëviz presjen se qëndrimi im ka qenë i prerë. Është diskutuar mbi aktualitetin, mbi situatën, mbi një grup të caktuar deputetësh është kërkuar të merret një opinion dhe është patur mundësi të bëhet dhe një farë “poll” se çfarë mendojnë njerëzit brenda kësaj force politike”, tha Këlliçi.

Praninë e një grupi deputetësh të PD në ambasadën amerikane e konfirmoi edhe Gazment Bardhi disa ditë më parë./albeu.com