Komunikimet e zbuluara në Sky ECC, pjesë e dosjes hetimore të SPAK për goditjen e rrjetit kriminal të grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, hedhin dritë mbi fitimet e mëdha që, sipas hetimit, janë siguruar nga trafiku i kokainës. Në këtë skemë, Salvatore Aliu paraqitet me një rol qendror si furnitor.
Sipas dosjes, mes figurave kryesore të këtij grupi janë edhe vëllezërit Aliu. Salvatore Aliu dyshohet se ka qenë furnitori kryesor i kokainës për grupet e Eldi Dizdarit, Dritan Gjikës dhe Armando Pacanit, ndërsa vëllai i tij, Isa Aliu, dyshohet se e ndihmonte në pastrimin e parave të drogës duke i mbajtur në banesë.
Të lidhura
None found
Nga aktet hetimore rezulton se Isa Aliu i raportonte vazhdimisht të vëllait për shumat e parave që dorëzoheshin nga persona të ndryshëm, ndërsa njëkohësisht mbante të regjistruara edhe llogaritë përkatëse.
Sipas dosjes, më 30 gusht 2020, Isa Aliu e njofton Salvatore Aliun se kishte në dispozicion rreth 6 milionë euro cash. Dy javë më pas, më 15 shtator 2020, ai i bën me dije se shuma kishte shkuar në 9.8 milionë euro.
Në një tjetër komunikim, të datës 13 shtator 2020, Salvatore Aliu i konfirmon Isës se priteshin edhe 20 milionë euro të tjera.
Në një nga bisedat e zbardhura nga Sky ECC, Isa Aliu i tregon Salvatore Aliut se nëna e tyre kishte nisur të frikësohej nga sasia e madhe e parave cash që mbaheshin në shtëpi.
Sipas asaj që del nga komunikimi, ajo çuditej nga shumat që ndodheshin në banesë, ndërsa Salvatore i përgjigjej me ironi duke i thënë: “Mbushja një dyshek që të flejë rehat”.
Biseda mes vëllezërve:
Isa Aliu: Ato që kanë dhënë lekët.
Salvatore: Aty në Shqipëri?
Salvatore: Se do t’i mbyll llogaritë me të gjithë.
Isa Aliu: Këtu janë bërë rreth 9 milionë e 800.
Salvatore: Dua të shoh sa lekë të kanë dorëzuar ty.
Salvatore: Edhe si t’i kanë dorëzuar, do m’i kalosh.
Isa Aliu: Me atë që kam mbledhur…
Salvatore: Nuk i dua kështu.
Salvatore: I dua në total.
Isa Aliu: OK.
Salvatore: I dua sipas mënyrës si t’i kanë dorëzuar.
Salvatore: Ose si i ke mbajtur të shënuara.
Isa Aliu: Po, i kam shënuar.
Isa Aliu: Natën, zemër, plaka ka filluar të trembet.
Salvatore: Pse?
Salvatore: Për çfarë?
Salvatore: Çfarë ka?
Isa Aliu: Po, sa herë vjen dikush dhe më sheh…
Salvatore: Po s’ka gjë, çfarë ka parë?
Isa Aliu: Po pra.
Isa Aliu: Habitet.
Salvatore: Mbushja një dyshek.
Salvatore: Që të flejë rehat.
Isa Aliu: Thotë: “Pse ekzistojnë kaq shumë?”
Salvatore: Janë edhe 20.
Salvatore: Akoma.
Salvatore: Që duhet të vijnë.
