Përfundon takimi i Bashës me Abazoviç: Diskutuam për zhvillimin e popujve tanë dhe integrimin në BE (VIDEO)

Zv.kryeministri shqiptare në Malin e Zi, Dritan Abazoviç ka përfunduar takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Në fund të takimit kreu i Partisë Demokratike theksoi se ishte kënaqësi takimi me Abazaviç dhe shtoi se diskutuan mbi zhvillimin e popujve tanë dhe integrimin në BE.

‘Kam një kënaqësi unike, kënaqësinë e mikpritjes së zv.kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Karriera politike e tij është ndërtuar mbi përvojën e gjatë të një aktivisti, të një studiuesi dhe përpiluesi të tezave politike për Ballkanin, Evropën dhe globalizmin dhe është faktuar në luftën e pabarabartë midis forcave për liri dhe rrezikut të autokracisë.

Është një kënaqësi e veçantë, sepse interesi i PD dhe i imi personal për fqinjin tonë verior e në veçanti për bashkëkombasit tonë në Malin e Zi ka qenë dhe mbetet permanent, dhe gjatë bisedës së sotme konstatova se përkushtimi i Abazoviç bën diferencën e dëshiruar prej dekadash nga shqiptarët aty, por edhe nga PD qoftë në qeverisje apo në opozitë. Temat tona të diskutimit kanë variuar nga demokracia te politikat reale, zhvillimi i popujve tanë dhe integrimi në BE i dy vendeve tona. Abazoviç është një etalon i guximit’- tha Basha.

Ndërkohë nga ana tjetër, Abazoviç tha se është koha për një frymë të re evropiane për të gjitha trevat tona.

‘Të gjithë së bashku duhet të merremi me politikë dhe të bëjmë një impakt në shoqëritë tona Besoj se koha është një frymë të re evropiane në të gjithë trevat tona. Detyra jonë është se si politikanë, si njerëz që e shohim është të bëjmë maksimumin që të fusim më shumë etikë në jetën politike, të bëjmë gjëra konkrete. Të gjithë bashkë që t’i përshtatemi vlerave evropiane.’- tha Abazoviç.

Shtuar 16.07.2021 17:40