PD: Vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë

Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht për të denoncuar se një grup personash brenda selisë blu po kryejnë veprime të paligjshme duke përçarë demokratët. PD, në reagimit thekson se vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë, ndërsa është bërë një kallëzim në SPAK për gjyqtarin Zhukri.

Grupimi i Rithemelimit arriti që të marrë zyrën e shtypit dhe “Whats App” por “Facebook” i PD-së administrohet nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

“Prej ditësh në Partinë Demokratike një grup personash janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komanduar i PD Enkelejd Alibeaj ka deklaruar edhe sot se të gjitha këto veprime janë të paligjshme.

Vendimi i Gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit nuk është i formës së prerë. PD është në pritje të zbardhjes së vendimit për të bërë ankimim sipas ligjit. Në të njëjtën kohë PD ka bërë një kallëzim në SPAK për gjyqtarin Zhukri dhe njëkohësisht po pret rezultatin e inspektimit nga ILD.

Nga ana tjetër PD pret vendimin e Gjykatës për regjistrimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor.

Partia Demokratike do të presë me durim vendimet gjyqësore ndërkohë që do të fokusohet te hallet e qytetarëve, që sot janë goditur nga korrupsioni i një qeverie që i ka braktisur tërësisht njerëzit.

Partia Demokratike do të zbatojë çdo vendim gjyqësor të formës së prerë. Vendimet, veprimet, pushtimet nuk e ndihmojnë PD dhe nuk i shërbejnë bashkimit dhe as të ardhmes së demokratëve. Alternativa jonë e së nesërmes nuk mund të jetë kurrë një alternativë dhune dhe pushtimi apo izolimi nga partnerët tanë euro-atlantikë, me të cilët i’a kemi dalë të sigurojmë arritjet më madhore për shqiptarët”, thuhet në reagim./albeu.com


Shtuar 31.03.2022 11:40