Para në këmbim të regjistrimit të pronës, 1 vit e 4 muaj burg për ish-kreun e Kadastrës

Ish- kreu i Kadastrës Berat Ervin Nelaj është dënuar me 1 vit burg e 4 muaj nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ervin Nelaj u arrestua në shkurt të këtij viti për korrupsion në miratimin e lejeve të ndërtimit në këtë qytet.

Sipas vendimit të GJKKO, gjithashtu Nelajt i ndalohet ushtrimi i një funksioni publik për 5 vite.

Ndërkohë, SPAK kërkoi 3 vite burg për ish-kreun e Kadastrës, pasi pas hetimeve dolën në përfundimin se ka shpërdoruar detyrën.

Gjithashtu me dy vite burg është dënuar Xhekisa Toto, e cila ishte e pandehur bashkë me Nelajn. Toto akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e referimit penal të kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, ka filluar proçedimin penal nr.136 viti 2020, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 244, 259 e 25 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, janë krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ervin Nelaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, Berat, në bashkëpunim me punonjës të tjerë në këtë institucion, kanë marrë në disa raste përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të kryer veprime që lidhen me detyrën e tyre, për legalizimin e objekteve informale dhe rregjistrimin e titujve të pronësisë.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.10, datë 26.01.2021 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimin ndaj shtetasit Ervin Nelaj të masës së sigurimit personale “arrest ne burg” e parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 259 e 25 i Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat kanë ekzekutuar në datën 26.01.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj personit nën hetim të mësipërm.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar. /albeu.com/

 

 


Shtuar 27.09.2021 15:59