Në një lidhje online për emisionin “News24 Fundjavë” me Megi Latifin, studiuesi Adri Nurellari foli mbi protestat që prej afro një muaji po zhvillohen në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ku qytetarët po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Sipas Nurellarit, arritja e parë e “Revolucionit Flamingo” është se ka shembur frikën. Ai theksoi se fakti që tubimet po mbeten paqësore përbën një epërsi të rëndësishme, pasi sipas tij revolta qytetare nuk është zhytur në “batakun e protestave të partive”.
Të lidhura
None found
“Protesta është provë se qytetarët mund ta vrasin frikën dhe heshtjen. Nëse dikur reagimi kryesor ishte ikja nga vendi, sot po shfaqet zëri, fjala dhe revolta. Kjo tregon se ata kanë shpresë te e ardhmja.
Rezultati i parë është thyerja e frikës.
Pushteti nuk mbahet vetëm me polici dhe forcë, por edhe me frikë.
Protestat paqësore kanë treguar se japin dy herë më shumë rezultat sesa protestat e dhunshme. Ndryshe nga ç’jemi mësuar me protesta agresive të partive, kjo dëshmon se fuqia e një proteste nuk matet me numrin e gurëve që hidhen, por me qytetarinë. Kjo protestë nuk ka rënë në batakun e protestave të partive. Po ashtu, kjo protestë ka treguar edhe qëndrueshmëri”, tha ai.
