Nesër fillojnë provimet e maturës, Kushi mesazh për maturantët (VIDEO)

Ministrja Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka uruar maturantët për provimet e Maturës Shtetërore.

Përmes një video-mesazhi, Kushi uron suksese pasi nesër, maturantët do të zhvillojnë provimin e parë, atë të Gjuhës së Huaj, për Maturën Shtetërore 2021.
Sipas Ministres Kushi, ky është një çast i shumëpritur nga maturantët, një çast që do të kurorëzojë punën dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në shkollë dhe që do t’i bëjë krenarë të gjithë: ata vetë, prindërit e tyre, por edhe mësuesit e drejtuesit e institucioneve arsimore.

Ajo shprehet se e di shumë mirë që të gjithë maturantët kanë punuar shumë për të arritur rezultatet më të mira, ndërsa thekson se “jemi plotësisht të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë pasur gjatë këtij viti të pazakontë”, duke nënvizuar se këto vështirësi janë reflektuar në procesin e hartimit dhe administrimit të testeve në Maturën Shtetërore.


Në fund të video-mesazhit, Ministrja Kushi inkurajon ata që të japin më të mirën e tyre, pasi këto provime do të përcaktojnë drejtimin në të cilin do të hedhin hapat e mëtejshëm në jetë.

“Shumë suksese dhe mbarësi për të gjithë ju!”, uron ajo.


Shtuar 2.06.2021 16:31