Në SHBA për çështjen e Berishës, Këlliçi: Ai i del zot vetes, është mik i presidentëve Bush

Deputeti demokrat Belind Këlliçi, i sapo kthyer nga një vizitë në SHBA, ishte i ftuar në “Radar Informativ” në ABC.

Këlliçi mohoi të ishte në SHBA për të lobuar për çështjen e kryedemokratit Sali Berisha, i shpallur non-grata, teksa theksoi se ishte atje si përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë.

“Sali Berisha i del zot vetes. Ka kongresmen që kanë reaguar publikisht për këtë çështje. Unë nuk jam megaloman që hyj e të jap mend në kongresin amerikan. Brenda të drejtës së tyre, kanë të drejtë të marrin informacion në DASH në lidhje me raste të tilla që kanë të bëjnë me cenimin e figurave të shquara, mike të republikanëve. Nuk e mohon njeri që Berisha është mik i dy presidentëve Bush. Qershia mbi tortë është edhe marrëdhënia e cunguar e Berishës me George Sorrosin. Janë këto çështje për të cilat ka shkëmbime informacioni, idesh”, tha Këlliçi.


Shtuar 20.09.2022 20:16