Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur urgjente çështjen e sjelljes së mjekëve nga diaspora për dhënie të shërbimeve dhe ofrim të trajnimeve në Kosovë.
Komentet Kurti i bëri në mbledhjen e tretë të Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësi, ku ka kërkuar që të nisin menjëherë hapat e nevojshëm për të planifikuar sjelljen e sa më shumë mjekëve nga mërgata.
“Kryeministri nënvizoi se jetësimi i kësaj iniciative është çështje urgjente dhe se çdo ditë vonesë është kohë e humbur”, thuhet në njoftimin e Qeverisë për takimin e së shtunës.
Sipas Kurtit, miratimi i udhëzimit për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësorë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen.
Po ashtu, sipas tij, ardhja e profesionistëve të mërgatës do të mundësojë trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.