Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca është takuar sot me fermerët e njësive Fiershegan, Allkaj e Krutje në Lushnje për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi.
Gjatë fjalës së saj, ka dhënë detaje në lidhje me skemën kombëtare për mbështetjen e fermerëve të vegjël që prodhojnë deri në 4 dynym hapësirë tokë bujqësore.
Krifca tha se ata do të bashkohen për të bërë bashkë minimumi 1 hektar për të përfituar deri në 200 milion lekë për sezon.
Ajo theksoi se ata mund të bëhen përfitues të kësaj skeme deri në 2 herë ndërsa aplikimet për këtë sezon do zgjasin deri në fund të muajit.
“Nuk jemi të fuqishëm mjaftueshëm përballë tregut ku duam të shesim produktet tona. Këtë problematikë e kemi adresuar në skemën kombëtare duke u dhënë mundësinë fermerëve që prodhojnë deri në 4 dynym të bashkohen bashkë në një sipërfaqe deri në 1 hektar minimum që të marrin mbështetje për prodhimet e tyre që duhet të jenë të certifikuara. Fermerët duhet ta mbajnë faturat që blejnë produktet. Do të vijë si marrëveshje mes palëve. Nuk do ketë as obligim financiar. Që në rast se kemi një problematikë të kemi mundësinë të gjejmë origjinën e problematikës.
Fermerët do prodhojnë veçmas dhe bashkohen për të marrë mbështetjen në skemën kombëtare. E kemi evidentuar që kemi edhe një problematikë me tregjet. Duhet të shtojmë sipërfaqet e tregjeve ku fermerët të shesin produktet e tyre. Dhe për këtë arsye do të mbështesim të paktën 5 bashki platforma të bashkimit të fermerëve ku fermerët mund të shesin produktet e tyre. Pritet të hapen aplikimet deri në fund të këtij muaji. Pritet të merren në mbështetje deri në 200 mln lekë për sezon. Mund të bëhen përfitues deri në dy sezone. E kemi menduar shumë të thjeshtë skemën këtë vit”, tha Krifca.
Ajo u shpreh se pjesë e kësaj formule do të bëhen edhe bashkitë duke qenë se ato janë çdo ditë pranë fermerëve. Krifca theksoi se fermerët do të marrin përmes internetit çdo ditë informacion mbi çmimet ditore të produkteve bujqësore.
“Kemi futur bashkinë në këtë formulë sepse ajo është aty me ju përditë. Edhe ata e kanë problem që nuk kanë një qendër me standard që të çlirohen fermerët nga abuzimet e tregtarëve të mëdhenj. Fermerët do kenë mundësi më pas të zgjedhin se ku do ta çojnë prodhimin e tyre. Po bëjmë një punë për të pasqyruar çmimet ditore. Secili nga ju ka telefona në xhepa me internet. Jam e sigurt që mund ta përdorni internetin për të marrë informacion mbi çmimet e produkteve dhe informacione.
Me skemën e naftës do të ecim shumë shpejt. Këto do jenë në funksion dhe në shërbimin tuaj. Të gjithë do të punojnë si një ekip që të përthithim këto fonde me efiktivitet dhe të mos kemi ngatërresa rrugës. Na duhet të mbështesim ritmin e prodhimit. Do mbështesim perimet në sera, luleshtrydhet, rrushin në sera, peshkimin. Kemi shumë punë përpara këtë vit. Edhe ju edhe ne për të ecur në një ritëm me ju. Shpërndajeni këtë mesazh”, deklaroi ministrja./albeu.com