Dy persona që po udhëtonin me taksi nga Kruja drejt Tiranës u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Taksimetri”. Njëri prej tyre, një 30-vjeçar nga Thumana, mbante pa leje një pistoletë dhe municion.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 2 ndërhynë pasi morën informacion në rrugë operative se një shtetas dyshohej të ishte nisur i armatosur drejt kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Policia ndaloi taksinë në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, efektivët gjetën dhe sekuestruan pistoletën me 15 fishekë që mbante 30-vjeçari P. Sh., banues në Thumanë.
U arrestua edhe pasagjeri tjetër, R. H., 25 vjeç, po ashtu banues në Thumanë. Ai dyshohet se ishte në dijeni të armës së bashkudhëtarit, por nuk e kishte kallëzuar krimin.
Sipas policisë, të dy të arrestuarit kanë precedentë penalë. Gjatë shoqërimit dhe veprimeve procedurale, ata kundërshtuan me dhunë efektivët dhe dëmtuan ambientet e dhomës së shoqërimit në komisariat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.







