Me pistoletë e plumba në lokal, Gjykata e Apelit nxjerr nga burgu “të fortin” e Tepelenës

Gjykata e Apelit në Gjirokastër, ka liruar sot nga burgu, Renato alias Andrea Çaushin.

Ai u arrestuar më parë nga policia e Sarandës dhe Vlorës, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.

Vendimi u mor mesditën e sotme nga gjyqtari i çështjes Sokol Pine, i cili është deleguar nga Saranda në Gjirokastër, për të gjykuar çështje penale dhe civile.

Me këtë vendim, që prej ditës së sotme Renato Çaushi, i konsideruar si i “forti” i Tepelenës, ka dalë nga qelia duke vijuar sërish të qëndrojë i lirë edhe pse ndaj tij vijon të jetë e hapur në Sarandë një çështje penale, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve”.

Në përballjen e përsëritur me drejtësinë Shqiptare, Renato Çaushi, ka dalë fitimtar duke paguar një garanci pasurore prej 50 milion lekë të vjetra.

Kujtojmë se emri i tij dhe i vëllait, Ervisit, u përfol edhe për plagosjen e pronarit të “Orange” në Sarandë gjatë kësaj vere, por kërkimi policor për ta u ndal./albeu.com/


Shtuar 1.12.2021 16:34