Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia e Shtetit ka ndaluar e gjobitur shofertët e pabindur për shkeljet gjatë qarkullimit rrugor.
Policia ka vënë në punë makinën inteligjente që kap shkelësit, në rrugën Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Elbasan.
Makina inteligjente ka konstatuar konstatuar 461 shkelje për shpejtësi, ndërkohë që një numër i madh i tyre janë kapur në shkelje të dyfishtë. 51 prej tyre të cilët janë kapur me shpejtësi tej normave të lejuara, krahas gjobës do u hiqet edhe patenta ndërkohë që masa e pezullimit do u dërgohet në adresën e tyre të banimit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Njoftimi i policisë:
Nëse shkelni rregullat e qarkullimit, masa administrative ju vjen në shtëpi. Vijon monitorimi i qarkullimit në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë dhe Tiranë – Elbasan – Tiranë, me makinën inteligjente. Prej së hënës, makina inteligjente ka filluar funksionimin për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, pa vendosur rripin e sigurimit, që kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Gjatë orëve të mbrëmjes deri në orën 22:40, në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë – Durrës – Tiranë dhe Tiranë – Elbasan – Tiranë, duke e vendosur makinën inteligjente në punë, me intervale kohore të shkurtra në shumë pika dhe njolla të zeza ku kanë ndodhur më parë aksidente rrugore, por edhe në afërsi të vijave të bardha, janë konstatuar 461 shkelje për shpejtësi.
Gjatë verifikimit rezultoi se krahas shpejtësisë, një numër i madh i drejtuesve të mjeteve kishin bërë dhe një shkelje të dytë, konkretisht: 104 ishin edhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, 97 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 76 për parakalime të gabuara. Njëkohësisht, 51 prej tyre u shpallën alert, pasi janë konstatuar nga makina inteligjente me shpejtësi mbi 30 km/h, shkelje që krahas masës administrative, shoqërohet edhe me pezullim të lejes së drejtimit.
Drejtuesve të automjeteve të konstatuara në shkelje që nuk shoqërohen me masën plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit, do t’ju shkojë masa administrative në adresat e banimit të tyre. Gjithashtu, nga makina inteligjente janë konstatuar 98 drejtues mjetesh, të cilët krahas shpejtësisë mbi normat e lejuara, janë konstatuar edhe në shkelje të dytë me rrezik të madh për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për mosdhënie përparësie këmbësorëve në vija të bardha.
Ndërkohë vijojnë kontrollet intensive në të gjitha rrugët e vendit, duke përdorur radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional. /albeu.com