Mesditën e sotme ish-ministri Lefter Koka u arrestuar me urdhër të SPAK për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Ndërsa në kërkim janë shpallur biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Pyetja është se ku janë këta dy të fundit?
Vendndodhja e tyre ende nuk është gjetur nga policia. Sistemi “TIMS” i nxjerr të dy në Shqipëri, Zoton dhe bashkëpunëtoren e tij.
Abcnews.al mëson se Klodian Zoto në fillim të muajit dhjetor është rikthyer në Shqipëri dhe nuk ka dalë më. Por nuk përjashtohet mundësia që të dy, Zoto dhe Gugallja të jenë larguar nga vendi duke mos u regjistruar në doganë, por fshehurazi.
SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësine e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në dretim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
Kujtojmë se kompania “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka në pronësi edhe inceneratorin e Tiranës.
Pasi morën lejen përmes dhënies së rryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.
Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm.