Projektligji i socialistëve për reformën territoriale është përfshirë në rendin e punës së Kuvendit, ndonëse ende nuk kanë përfunduar konsultimet publike me komunitetet dhe këshillat bashkiakë; opozita e cilëson këtë veprim si shkelje të Kushtetutës.
Të mërkurën, Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrtoi projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore” të sjellë nga deputetët socialistë, teksa dëgjesat me komunitetet lokale vazhdojnë deri në fund të muajit shtator.
Të lidhura
None found
Kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, nuk e lejoi votimin e kërkesës së opozitës për ta kthyer nismën në fazën e mëparshme të shqyrtimit dhe depozitimit, me qëllim që në të të përfshiheshin edhe qëndrimet e ardhura nga komunitetet lokale.
Ai bëri të ditur se shqyrtimi në parim do të vazhdojë deri më 29 shtator, afati kur mbyllet procesi i konsultimeve në bashki, dhe se më pas, pasi të merren këto qëndrime, projekti do të hidhet në votim.
Një kalendar i punës së Kuvendit parashikon votimin në seancë plenare më 8 tetor, teksa socialistët kanë vendosur në mënyrë të njëanshme ta çojnë përpara procedurën parlamentare të kësaj nisme, e cila propozon një riformatim të hartës territoriale të vendit dhe uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Në komision, opozita e kundërshtoi përfshirjen e nismës së PS-së në rendin e ditës, duke argumentuar se ajo është depozituar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese, pasi janë anashkaluar konsultimet publike ende pa përfunduar.
Luçiano Boçi, bashkëkryetar i opozitës në komisionin bipartizan për këtë reformë, kërkoi që projekti të kthehej mbrapsht dhe të hynte në rrugën kushtetuese, sepse nuk mund të veprohet në shkelje të Kushtetutës.
Ai shtoi se fillimisht duhet të mbyllen dëgjesat dhe të merret opinioni, e më pas projekti të kthehet në komision, duke theksuar se një reformë e njëanshme pa mbështetje politike dhe qytetare shkel parashikimet kushtetuese.
Po ashtu, deputeti Oerd Bylykbashi propozoi që Komisioni i Ligjeve ta votonte kthimin e projektligjit në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që në dokument të përfshiheshin edhe qëndrimet e nxjerra nga konsultimet publike.
Sipas Bylykbashit, kjo nismë prek themelet e Kushtetutës dhe ligji kërkon që të merret në konsideratë qëndrimi i popullsisë; ai akuzoi mazhorancën se e ka nisur këtë procedurë në shkelje të ligjit dhe se po përpiqet t’i lërë anash zërat e komuniteteve.
Disa deputetë të tjerë të PD-së tërhoqën vëmendjen se në bashkitë që planifikohen të shkrihen e të bashkohen me njësi më të mëdha, çdo ditë zhvillohen protesta kundër nismës dhe këshillat bashkiakë të këtyre njësive kanë votuar kundër shkrirjes.
Në shenjë proteste, deputetët opozitarë u larguan nga mbledhja e komisionit, ku më pas Arbjan Mazniku prezantoi nismën.
Sipas Maznikut, ulja e numrit të bashkive do të siguronte më tepër shërbime për qytetarët.
Që nga fillimi i gushtit, propozimi i PS-së po përballet me kundërshtime nga qytetarët në dëgjesat publike të mbajtura në të gjitha bashkitë e vendit. Në disa bashki më të vogla, ky propozim ka nxitur protesta të përditshme, ku banorët kundërshtojnë shkrirjen e njësisë së tyre me një bashki më të madhe.
Sipas projektit, bashkitë Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas do të humbasin statusin e njësive të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe do të bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.
Konkretisht, Fushë-Arrëzi do të bashkohet me Pukën, Klosi me Matin, Rrogozhina me Kavajën, Dimali dhe Poliçani me Beratin, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Maliqi me Korçën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, Cërriku e Belshi me Elbasanin, ndërsa Prrenjasi do të kalojë nën varësinë e bashkisë Librazhd.
Propozimi ruan bashkinë si qendër të organizimit vendor, por ndryshon strukturën e brendshme të saj, duke kaluar nga formula “Bashki–Njësi Administrative” në “Bashki–Qytet–Njësi Administrative”.
Në çdo qytet do të emërohet një nënkryetar përgjegjës për koordinimin e shërbimeve, teksa këshillat bashkiakë do të ristrukturohen në mënyrë që të pasqyrojnë peshën demografike të qyteteve që e përbëjnë bashkinë.
Ndërkohë, opozita ka paraqitur një projekt alternativ që rrit numrin e bashkive nga 61 në 100, me synim decentralizimin e shërbimeve publike dhe afrimin e tyre me komunitetet.
