Kosova siguron edhe mbi 100 mijë vaksina anti-COVID, ja kur mbërrijnë (FOTO LAJM)

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se përmes një komunikimi të fundit që ka pasur nga kompania COVAX është bërë e ditur se është konfirmuar ardhja edhe e 100.620 vaksinave anti-COVID në muajin qershor.

Zemaj shprehu falënderim për shtetet mike të Kosovës, derisa theksoi se komunikimin që pati nga COVAC e ka përcjellur tek ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Duhet përkujtuar që të dielën në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës anti-COVID.

“Nga komunikimi i fundit që arriti sot nga COVAX, ( për sigurimin e radhës së vaksines Pfizer-BioNTech) komunikim të cilin ia përcolla Ministrit Vitia për ta vazhduar atë zyrtarisht, konfirmohen 100.620 vaksina anti Covid-19 në qershor, për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Tutje ish-minsitri ka falënderuar të gjithë shtetet mike të Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe vendore që me muaj të tërë u angazhuan për sigurimin e vaksinave.

“Shpreh edhe një herë falënderimin e thellë për shtetet mike, organizatat ndërkombëtare dhe vendore si dhe ekipin profesional të Republikës së Kosovës të cilët u angazhuan me muaj të tërë për sigurimin sa më të shpejtë të vaksinave.Ju faleminderit të gjithëve”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që deri të dielën, Kosova ishte ndër vendet e pakta që nuk pati marrë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID.

Tani për tani situata me koronavirus vazhdon të jetë mjaftë e rënduar ku numri i rasteve aktive me virusin SARS CoV-2 është 13 mijë e 666 raste.

 


Shtuar 30.03.2021 20:56