Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), gjeneralmajor Ferdinant Dimo, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku u shoqërua nga një delegacion.
Delegacioni shqiptar u prit nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, së bashku me drejtuesit e kësaj komande.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit u zhvilluan takime dhe bisedime për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy institucioneve, si dhe për mundësitë e zgjerimit të tij në të ardhmen. Vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit, arsimimit dhe përparimit profesional të pjesëtarëve të të dyja forcave.
Sipas njoftimit, vizita krijoi hapësirë për ndarjen e përvojave dhe evidentimin e fushave të reja të bashkëpunimit. Ajo konfirmoi gjithashtu angazhimin e përbashkët të FSK-së dhe FARSH-së për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale.







