Problemet ligjore të Donald Trump janë thelluar edhe më tej kur kompania e tij e pasurive të paluajtshme u shpall fajtore për kryerjen e një skeme kriminale 15-vjeçare për mashtrim tatimor, duke zbehur më tej fushatën e rizgjedhjes së ish-presidentit amerikan në 2024.
Një juri shpalli fajtore për konspiracion dhe falsifikim të dhënash. Organizata Trump u akuzua si bashkëpunëtore në një skemë nga drejtuesit kryesorë për të shmangur taksat individuale që rezultojnë nga përfitimet e punëdhënësit si apartamente pa qira dhe makina luksoze.
Prokurorët kanë tre vjet që hetojnë ish-presidentin dhe bizneset e tij, megjithëse nuk pritet që dënimet të jenë aq të rënda sa të rrezikojnë të ardhmen e kompanisë së Trump.
“Donald Trump po përballet me një seri humbjesh të mëdha. Ai thotë se do të kandidojë për president. Do të shohim se si do të shkojë. Kujtojmë se edhe personi që fillimisht u quajt “Teflon Don”, John Gotti, u dënua përfundimisht. U deshën disa përpjekje, por ai jo vetëm u dënua, por dhe vdiq në burg. Nëse do të isha Donald Trump, do të isha shumë i shqetësuar se ky mund të ishte fati im”, ka thënë avokati Mitchell Epner.
Pas vendimit, gjykatësi i shtetit të Nju Jorkut caktoi një datë dënimi për 13 Janar. Organizata Trump e cila operon hotele, fusha golfi dhe pasuri të tjera të paluajtshme në mbarë botën do të përballet me gjobë deri në 1.6 milionë dollarë për dënimin. Akuzat ndaj kompanisë u bazuan tek dëshmia e ish-shefit të financave të Organizatës Trump, Allen Weisselberg, i cili më herët u deklarua fajtor nën akuzat se ai manipuloi regjistrat financiarë të kompanisë për të ulur në mënyrë të paligjshme tatimet e tij vjetore.
“Askush nuk do të shkojë në burg. Donald Trump mund të humbasë të drejtën e tij për të votuar nëse dënohet, por ai nuk mund të humbasë të drejtën e tij për të kandiduar për president dhe nëse zgjidhet, për të shërbyer si president. Kushtetuta thotë se ka vetëm disa kualifikime për të qenë president i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Mitchell Epner.
Trump është shprehur se çështja kundër kompanisë së tij ishte pjesë e një “gjuetie shtrigash” me prapaskena politike dhe e orkestruar nga demokratët që duan të hakmerren.