Kandidate për Gjykatën e Lartë, shkarkohet ish- kreu i Avokaturës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Alma Hickën, kandidate për anëtare në Gjykatën e Lartë.

Hicka gjithashtu ka qenë edhe ish drejtuesja e Avokaturës së Shtetit për disa vite.  Vendimi u shpall nga Etleda Çiftja, kryesuesja e trupit gjykues për vlerësimin e Hickës.

Dy ditë më parë u zhvillua seanca dëgjimore për kandidaten Hicka. Kryesuesja e trupit gjykues, Etleda Çiftja tha në fillim të seancës se Komisioni ka vlerësuar t’i japë shpjegime shtesë subjektit, për të shmangur çdo situatë të pafavorshme apo disavantazh të saj në sigurimin e dokumenteve.

  Në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar më 10 mars, sipas reporter, Hicka u përball me probleme për pasurinë dhe dyshime për konflikt interesi. Komisioni bëri me dije se analiza financiare e nxirrte gjyqtaren Hiçka me një bilanc negativ prej 10.7 milionë lekësh, ndërsa ishin gjetur një sërë mospërputhjesh mes deklarimeve vjetore dhe deklarimeve për vetingun.

Komisioni i ka kaluar Hickës barrë prove për burimin e pasurisë së prindërve të saj, të cilët i kishin dhënë tre hua, pasuritë e bashkëshortit si dhe për dyshimet për konflikt interesi të ngritura nga ILDKPKI.

Në seancën e së mërkurës, relatorja Xhensila Pine u ndal në verifikimet shtesë të kryera nga KPK për të ardhurat e prindërve të gjyqtares Alma Hicka, huadhëniet e të cilëve kishin shërbyer si burim për pasuritë e subjektit.

Huaja e parë prej 250 mijë lekë është marrë në vitin 2003 për blerjen e një makine; e dyta në shumën 13 mijë euro po për blerjen e një makine në vlerën 23.900 euro në vitin 2010 si dhe huaja e tretë në shumën 4.2 milionë lekë në vitin 2015 për të financuar këstet e një apartamenti 90 mijë euro të blerë nga subjekti në Tiranë.  Komisioni konstatoi se nga verifikimet e reja, nuk janë siguruar dokumente provuese apo të dhëna për të ardhurat nga vetëpunësimi i nënës së subjektit, ndërsa babai ka rezultuar se ka qenë i punësuar në vitet 2013 dhe 2016.

Sa i takon konfliktit të interesit, edhe pse Komisioni nuk e bëri me dije në seancë kompaninë që kishte qenë palë në proces, Hicka bëri me dije se bëhej fjalë për CEZ a.s. dhe mohoi që bashkëshorti të kishte qenë ndonjëherë përfaqësues i kësaj shoqërie. “Ai ka qenë përfaqësues i CEZ Shpërndarje që sot është OSHEE,” shpjegoi Hicka dhe pretendoi se bashkëshorti nuk kishte asnjë lidhje me kthimin kuotave të CEZ a.s..

“Kështu që nuk ka konflikt interesi. Avokatura e Shtetit nuk ishte pale, por vetëm këshilluese”, ritheksoi Hicka dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Shtuar 2.04.2021 10:04

Tags: ,