Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi sot se sfida për vitin që sapo ka nisur është dixhitalizimi i kadastrës. Ai tha se dje është miratuar struktura e re e Kadastrës që hap 230 vende të reja pune për operatorë skanimi dhe dixhitalizimi të kartelave.
“Vjet në dhjetor, në bashkëpunim me Qeverinë shpallëm se sfida jonë për vitin 2022 do të jetë digjitalizimi.
Kemi bërë të mundur që gjatë vitit 2021 të 1,5 milion shërbimet e ofruara nga Kadastra, të jenë në format digjital. Por mbrapa këtij veprimi, mbetet fakti që pjesa dërrmuese e dokumentacionit ekzistues të Kadastrës është ende në letër, gjë që sforcon maksimalisht stafin tonë në dhënien e shërbimit.
Për këtë arsye, në dhjetor Qeveria miratoi financimin e projektit për digjitalizimin e arkivit te Kadastrës. Bëhet fjalë për një arkiv me rreth 50 milionë dokumente që do t’i nënshtrohen këtij procesi delikat.
Nga njëra anë po bashkëpunojmë me AKSHI-n për ngritjen e të gjithë infrastrukturës së nevojshme që do të mundësojë këtë operacion.
Nga ana tjetër, ky operacion do të ketë nevojë për një trup punonjesish që do t’a realizojnë atë. Kjo bëhet me qëllim që trupa ekzistuese e punonjësve te vijojë me dhënien e shërbimeve qytetarëve pa ulur ritmin e punës.
Dje Kryeministri miratoi strukturën e re të Kadastrës, e cila parashikon edhe ngritjen e Qendrës së Kadastrës Digjitale, strukturë që do të jetësojë projektin e Digjitalizimit.
Kjo qendër do të punësojë një trupë punonjësish të rinj, prej rreth 230 vetash.
Jam këtu para jush për të shpallur thirrjen për aplikime pune në këtë organizëm.
Bëhet fjalë kryesisht per dy kategori operatorësh:
1) Operatorët e skanimit dhe sistemimit të dokumentacionit;
2) Operatorët e digjitalizimit të kartelave.
Projekti do të zgjasë dy vjet dhe do të shërbejë dhe si shkollë për këta operatorë që, me eksperiencën që do të fitojne gjatë punës të mund të integrohen më pas në strukturat e Kadastrës.
Ky projekt do të mbuloj të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nga Kukësi në Sarandë dhe nga Vlora deri ne Korçë. Që nga dita e nesërme, në faqen zyrtare ëeb të Kadastrës dhe në facebook, do të gjeni të shpallur thirrjen për këto aplikime. Gjithashtu, struktura e re e Kadastrës e miratuar nga Kryeministri, na hap rrugën e riformatimit për shumë Drejtori Rajonale që kanë patur probleme kohët e fundit. Këto vende të reja pune krijohen nga dy arsye:
E para, për shkak të largimeve nga puna të atyre që nuk e përballuan dot ritmin tonë, apo që nuk deshën të kuptojnë se në Kadastrën e re nuk mund të bëjnë më lojrat e Hipotekës së vjetër. E dyta, me ligjin e ri 20/20, Kadastrës Shqiptare i janë ngarkuar disa funksione të reja që dikur i kanë patur institucione të tjera. Arsyeja ishte e thjeshtë: u pa që ky institucion me gjithë vështirësitë e ngritjes, po jepte rezultate. Për këto funksione të reja do të ketë nevojë për shumë specialistë të tjerë, për të cilët do të bëjmë thirrje.
Këto vende të lira, në një fazë të parë do të jenë në Drejtoritë e Tiranës, Durrësit, Kavajës dhe Krujës, për të vijuar më pas edhe në drejtoritë e tjera. Specialitetet kryesore janë juristë dhe inxhinierë. Jam i bindur se gjithë llafollogët e fejsbukut do ulen të dekurajojnë këdo që do të dëshirojë të përfshihet në këtë thirrje. Mos u çudisni, e kanë bërë gjithmonë. Unë ju drejtohem direkt të interesuarve: Bujrum të gjithëve, ja sheshi ja mejdani” tha Lame.