Inceneratorët, Ahmetaj thumbon Ramën, Veliajn dhe Gjiknurin: Ai të bëjë kryeministrin, s’jam “guru” të frymëzoj gjithë shtetin

Ish-Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njeriu i akuzuar nga opozita si “koka” e inceneratorëve, por edhe i perceptuar në publik si njeriu i “shitur” nga mazhoranca, ka dhënë përgjigje në një studio televizive për të gjitha akuzat, por ka thumbuar dhe kolegët dhe ish-kolegët e tij.

Në një intervistë në “Opinion” i pyetur nga gazetari: A ju kujtua ish-kolegu juaj Saimir Tahiri, gjatë deklaratave të kryeminsitrit Rama? Ahmetaj tha se kryeministri duhet të bëjë kryeminsitrin dhe jo gjykatësit.

“Nuk do doja të isha në një pozitë të tillë, por kryeminsitri duhet të bëjë kryeministrin dhe jo gjykatësin”, u shpreh Ahmetaj.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me inceneratorin e Tiranës, Ahmetaj tha se ai nuk ka qenë pjesë e procedurës, dhe se të përfshirë në këtë procedurë kanë qenë dhe institucione të tjera përfshirë dhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erjon Veliaj.

Ndërsa nuk ka lënë pa thumbuar edhe ish-“mikun” e tij Damian Gjiknuri, duke theksuar se ai nuk është një guru (Gjiknuri njihet si një nga personazhet e politikës që ka mësues shpirtëror një nga gurutë e famshëm botërorë), që me një të rënë të lapsit të detyronte gjithë qeverinë që të miratonte inceneratorët.

“Unë nuk kam superfuqi o burrë, nuk jam guru, që t’i bëja të gjithë bashkë në qeveri e të hidhnin firmat për inceneratorët”, deklaroi Ahmetaj.

/Taulant Halili/AlbEu.com/


Shtuar 23.02.2023 22:09