Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i ka dhënë ditën e sotme lamtumirën e fundit babait të tij, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Basha i ka shprehur emocionet e tij përmes një postimi në Facebook, ku falenderon dashamirësit, miqtë, familjarët, mjekët e infermierët që i kanë qëndruar pranë.
Basha ka kujtuar gjithashtu momentet e bukura dhe virtytet e të atit të tij.
Postimi i Bashës:
Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur.
Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre.
Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe.
Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe!/albeu.com/